• Feed RSS
ÇFARË TË HAMË
Kjo pyetje na shqetëson e shoqëron sa herë duhet të blejmë ushqime, sepse blejmë bukë dhe ajo është plot konservantë kimikë dhe ngjyrues. Blejmë djathë e gjizë dhe ngopemi me niseshte e vaj palme. Vaji i palmës mund të ndodhet edhe tek majoneza, produktet e pastiçerisë apo vaji i etiketuar “vaj vegjetal”. Blejmë kos dhe ai nuk thartohet, sepse është me konservantë apo/dhe antibiotikë.

 Blejmë fruta dhe perime dhe ato janë plot kimikate (hormone, pesticide, nxitës artificial të pjekjes etj.) dhe disa herë me ngjyrues. Blejmë mish dhe është me hormone. Blejmë pula dhe mishi i tyre është me antibiotikë. Blejmë sallam dhe ai është me konservantë, hormone, nitrit, ngjyrues etj. etj.
Si përfundim, në ushqime kemi shtim të përdorimit të kimikateve organike dhe fallsifikim të tyre nëpërmjet zëvendësimit të përbërësve natyrale me komponime organike dhe kimike, shpesh të huaj për organizmin dhe të dëmshme për të.

Nga Prof. Dr. Kristaq Sini
Po mbushet një vit nga deklarata e OBSH-së në lidhje me rrez ikun e kancerit nga mishi dhe sidomos sallami, që këshillon te kufizimin e konsumit të këtyre produkteve. Kjo deklaratë i drejtohej të gjitha vendeve dhe jo Shqipërisë në veçanti, sepse rritja e rasteve apo e sëmundjeve kanceroze është shndërruar në problem botëror, nga i cili nuk mund të veçohet Shqipëria. Me të drejtë, një gazetar, në lidhje me këtë deklaratë, u shpreh në rrjetet sociale se “na thatë të lëmë duhanin, e lamë; na thatë të lëmë alkoolin, e lamë, tani na thoni të lëmë dhe mishin…..” Me të drejtë, sepse çdo njeri duhet të informohet për arsyet e një deklarate të këtij niveli dhe, sepse ushqimi i njerëzve nuk përbëhet vetëm nga mishi e sallami, por nga shumë produkte dhe nënprodukte me origjinë shtazore dhe bimore.
Kanceri ka pasur viktimat e tij edhe para 20, 200,….2000 vjetësh. Por sot, dëgjojmë gjithnjë e më shpesh për të dhe njerëzit habiten se përse sëmundjet kanceroze po bëhen po aq të “zakonshme” sa ato të zemrës, veshkave, mëlçisë etj. Të jenë thashetheme dhe zmadhim i realitetit? Aspak! Të dhënat nga ekzaminimet radiologjike (Dr. Kastriot Mëlyshi), nga kirurgjia (Prof as. Dr. Sokol Paparisto) apo nga Dr. Ferdinand Jorgoni, epidemiolog në Spitalin Onkologjik, flasin për rritje të rasteve të sëmundjeve kanceroze në përgjithësi dhe atyre të aparatit tretës në veçanti. Le ta ilustrojmë sa thamë më sipër me disa shifra dhe fakte: sipas të dhënave të Dr. Ferdinand Jorgoni, sëmundjet kanceroze të aparatit tretës janë rritur nga viti në vit: nëse në vitin 2000 ishin 400 raste të reja, në vitin 2013 numri i rasteve të reja arriti në 634 ose rreth 58% më shumë!
Por po t’i referohemi mesatares në vitet 2010-2013, numri i sëmundjeve kanceroze të aparatit tretës është 620 raste të reja çdo vit, që përbën rreth 18% të të gjithë sëmundjeve kanceroze në Shqipëri (mesatarisht 3500 raste të reja në vit), duke u renditur në vendin e pare. Të dhënat nga statistikat e mësipërme tepër shqetësuese janë bërë objekt studimesh dhe diskutimesh të shumta edhe nga mjekë të tjerë apo në literaturë dhe lidhja me ushqimin që konsumojmë çdo ditë del në plan të parë. Prandaj vendosa të shkruaj dhe të shpjegoj si, vazhdimi dhe përkeqësimi i mënyrës shpesh-herë të mbrapshtë të prodhimit blegtoral dhe bujqësor, me ushqimet që na ofron na sëmur deri me kancer. Këtu do të përqendrohet edhe ky artikull, me qëllimin që çdokush të mund të kuptojë ndikimin e cilësisë të ushqimit në shëndetin tonë.
Por le të shohim më parë se ç’është kanceri dhe kush e shkakton.
Ç’ËSHTË KANCERI
Që të kuptojmë se çfarë është kanceri, le të kujtojmë paraprakisht se trupi i njeriut përbëhet nga një sërë organesh, si zemra, veshka, mëlçia, lëkura etj. Një nga organet e njeriut është edhe sistemi endokrin, i përbërë nga disa gjëndra të shpërndara në pjesë të ndryshme të organizmit. Produkti kryesor i këtyre gjëndrave janë hormonet, që rregullojnë gjithçka, rritjen dhe riparimin e organeve, metabolizmin, zhvillimin seksual dhe riprodhimin, presionin e gjakut dhe reagimin e organizmit ndaj streseve. Qelizat e çdo organi, nëpërmjet metabolizmit të tyre i shërbejnë organit ku bëjnë pjesë dhe organizmit në tërësinë e tij. Ky metabolizëm përcaktohet nga ADN-ja e organizmit. E gjithë veprimtaria e organizmit mbrohet nga një sistem që quhet sistemi imunitar, i ndodhur në limfë, gjak e deri në çdo qelizë, i cili mbron organizmin nga agjentët e jashtëm fizik, kimik dhe biologjik. Pas këtij përshkrimi të shkurtër se si është i ndërtuar dhe mbrohet organizmi i njeriut për një funksionim normal të tij, le të përshkruajmë se ç’është kanceri.
Kanceri shfaqet në një organ të caktuar nëpërmjet formimit, shumimit dhe shumëzimit të qelizave anormale, të quajtura kanceroze. ADN-ja e këtyre qelizave kanceroze ka pësuar ndryshime dhe këto qeliza kanë rritje të pakontrolluar ngaqë “nuk i binden” mekanizmave të kontrollit hormonal të organizmit. Këto qeliza kanceroze anormale, mund të mbeten të pakta në numër dhe pa pasoja në funksionimin normal të organizmit, si p.sh. disa lloje të veçanta të nishaneve të lëkurës. Por, kur në kushte të veçanta, nën veprimin e agjentëve të jashtëm fizik, kimik dhe biologjik, ato pësojnë ndryshime të njëpasnjëshme (mutacione), mund të shumohen në një organ ose/dhe të përhapen në organe të tjera të organizmit. Një formë e dytë është shumëzimi vetëm i disa qelizave, që formojnë tumore. Nga ana tjetër, qelizat anormale kanceroze karakterizohen nga një metabolizëm i ndryshëm nga ai normal.
Nëse, në një metabolizëm normal, qelizat në përbërje të organeve prodhojnë për nevojat e veta dhe të organizmit, qelizat anormale kanceroze zhvillohen si një “organizëm parazit”, që vetëm merr dhe nuk jep asgjë për organizmin “mëmë”, brenda të cilit u formua dhe zhvillua. Si konkluzion, një sëmundje kanceroze ndodh së pari, kur sistemi imunitar është i paaftë të mbrojë organizmin nga agjentët e jashtëm fizik, kimik dhe biologjik, apo kur e ka të pamundur, sepse mund të jetë dëmtuar prej agjentëve të sipërpërmendur, së dyti, kur këta agjentë ndërhyjnë dhe prishin balancën e sistemit të kontrollit hormonal dhe së treti, kur shkaktojnë ndryshime (mutacione) të ADN-së të njeriut.
Por, a mund të ndryshojë struktura e ADN-së vetvetiu, pa ndërhyrje nga jashtë organizmit ? Ja ku dolëm tek thelbi i këtij shkrimi. Në të vërtetë, mund të ndodhë që këto ndryshime (mutacione) të ADN-së të trashëgohen edhe tek pasardhësit. Por, të dhënat e literaturës shkencore referojnë se vetëm rreth 5% e sëmundjeve kanceroze kanë origjinë gjenetike. Pra, pjesa dërmuese e sëmundjeve kanceroze, nuk janë të trashëguara, por shfaqen gjatë jetës së njeriut nga kontakti i tij me mjedisin e jashtëm. Në këtë kuptim, sëmundjet e kancerit do mund të shpjegoheshin vetëm me efektin e agjentëve të jashtëm fizik, kimik dhe biologjik që quhen faktorë kancerogen dhe që shpesh shkaktojnë mutacione.
FAKTORËT KANCEROGJENE
Të renditura sipas literaturës mjekësore, faktorët kancerogenë janë: 1. rrezatimet (ultraviolet, rrezet X dhe Gama), 2. kimikatet organike të duhanit dhe ushqimeve, 3. ndotësit (kimikate industriale, pesticide etj.) të ndodhur në ujë, tokë, ajër dhe ushqime dhe 4. viruset me të cilat mund të lidhen vetëm tri lloje sëmundjesh kanceroze (një me hepatitin B, i pranishëm në Shqipëri dhe dy lloje virusesh të pranishëm në Kinë dhe Afrikë). Si përfundim, të gjithë faktorët ndodhen në ajrin, me të cilin jemi në kontakt dhe thithim, në ujë, në produktet industriale që ne përdorim si veshje, lodra etj, si dhe në ushqime. Për çdo sëmundje, si për çdo fenomen, ka një shkak kryesor dhe të tjerë që e përshpejtojnë apo e frenojnë atë. Kuptohet se, nëse uji përmban metale të rënda, shkaku kryesor është ai, apo ajri (mjedisi) kur ka radioaktivitet, si në rastin e personave me kontakte të shpeshta me repartin e radiologjisë, si dhe atyre të gjeologjisë.
Po kështu shkak kryesor mund të jetë edhe duhani. Por, është një faktor që është i përbashkët për të gjithë njerëzit: për ata që pinë apo jo duhan, për ata që janë në kontakt me rrezatime apo jo, për ata që kanë kontakte me kimikate kancerogene apo jo, për ata që ndodhen në zona të ndotura atmosferike apo jo… Ky faktor është ushqimi. Le të përqendrohemi tani te roli i ushqimit në lidhje me sëmundjet në përgjithësi dhe kancerin në veçanti. Sikundër dihet, nëpërmjet ushqimit organizmi merr të gjithë elementët që i duhen për funksionimin normal të tij. Nga ana tjetër, çdo ushqim apo element ushqimor karakterizohet nga aftësia për të krijuar në qelizat tona një mjedis acid apo bazik. Kjo është e rëndësishme, sepse shkenca mjekësore ka arritur në konkluzionin se ambienti i theksuar acid mund të jetë shkaku kryesor i fillimit të sëmundjeve në përgjithësi dhe atyre kanceroze në veçanti. Duhet theksuar se mjedisi acid mund të krijohet edhe nga metabolizmi nëpërmjet tretjes së ushqimeve të ndryshme.
Një rol shumë të rëndësishëm në neutralizimin e këtij aciditeti të qelizave kanë elementët minerale, që, gjithashtu, merren nëpërmjet ushqimit shtazor dhe sidomos atij bimor. Ndërkohë, nuk duhen lënë pa përmendur edhe antioksidantët, që gjenden në vitamina dhe ushqime të ndryshme (fruta-perime, vaji i ullirit, vera etj). Antioksidantët mund të parandalojnë formimin e radikaleve të lira që mund të dëmtojnë ADN-në : shkaku kryesor i tjetërsimit të metabolizmit dhe përhapjes së qelizave kanceroze. Mungesa e një apo disa elementëve të ushqimit ose prania e tepërt e disa komponimeve organike apo e metaleve të rënda në të, mund të japin efekte akute apo kronike në metabolizmin e njeriut, duke shkaktuar devijime të tij, me pasojë sëmundje me emërtime të ndryshme, sipas organit që pëson devijimin e rrugës metabolike. Kuptohet, ka devijime të rrugëve metabolike (sëmundje) që, kur nuk prekin apo bllokojnë funksione jetike, janë të kurueshme nga shkenca e mjekësisë.
Në të kundërt, kurimi është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur, kur substancat e ndodhura në ushqim, sidomos ato të shtuara nëpërmjet praktikave “të legalizuara shkencërisht” dëmtojnë sistemin imunitar dhe ndërhyjnë në sistemin hormonal, duke dëmtuar dhe ndryshuar tërësisht metabolizmin e qelizës. Tërësisht më keq, këto substanca të rrezikshme mund të futen deri në bërthamën e qelizave dhe të modifikojnë genet e ADN-së që janë përgjegjëse të metabolizmit dhe të kontrollit hormonal. Prandaj, ka raste kur trashëgimia gjenetike e sëmundjeve mund të ngatërrohet me “trashëgiminë e tryezës familjare” (lidhja shkak-pasoje: ushqim-metabolizëm-ADN-shëndet).
Pra, ushqimi që konsumon çdo njeri, në varësi të mënyrës së të ushqyerit (llojshmëria dhe sasia e tij) dhe cilësisë së tij, mund të jetë shkaku kryesor apo/dhe dytësor i shfaqjes dhe zhvillimit të kancerit, ose i frenimit dhe eliminimet të efekteve negative të faktorëve të sipërpërmendur. Këtu, mbase qëndron edhe kuptimi i “genit të kancerit dhe genit supresor (shtypës, pengues)” që referon literatura: “geni i kancerit” është prania e ndonjë faktori kancerogen, ku përfshihet edhe te ushqyerit e gabuar dhe/ose jo cilësor, kurse “geni supresor” mund të jetë ushqimi i shëndetshëm. Por, mënyra e të ushqyerit nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë e përkryer për këdo, sepse ushqimi, në fund të fundit është mundësi, nevojë dhe kënaqësi, prandaj kanceri është përshkruar që në kohën e Herodotit.
Por, përse rastet e kancerit janë shtuar shumë në Shqipëri këto 10 vitet e fundit? Çfarë ka ndryshuar ne jetën tone të përditshme? Ka ndryshuar cilësia e ushqimit, prandaj, shpesh pyesim veten se si mund ta ulim rrezikun.

BlogRoll

Popular Posts