Duke i
anashkaluar mendimet e shumta, të cilat flasin për numrin e ndërtimeve
dhe riparimeve të Qabes, do të përmendim detajet më të rëndësishme.
Të parët që e kanë ndërtuar Qaben janë melaiket. Për këtë shkak, Ali bin
Husejn, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tregon se kur Allahu u tha
melaikeve se do të vendoste në tokë njerëzit, ata, të nisur nga veprimet
gjakderdhëse të xhindëve, iu përgjigjën: O Zoti ynë, a do të vendosësh
në tokë ata që do të bëjnë shkatërrime dhe gjakderdhje? Kur panë se
Allahu u zemërua me ta, filluan të kërkonin falje duke ardhur përrreth
Arshit të Tij, tre orë a shtatë rrotullime për të kërkuar kënaqësinë e
Zotit të tyre. Allahu u kënaq me një gjë të tillë dhe u tha: “Ndërtoni
në tokë një shtëpi, ku të kërkojë mbrojtje nga dënimi im çdokush ndaj të
cilit jam i mërzitur, siç vepruat edhe ju me Arshin e ta fal ashtu siç
ju fala dhe ju.”
Pas melaikeve e ndërtoi Qaben Ademi, alejhi selam.
Ibn Abasi,
Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për shkak të ndërtimit të Qabes nga
Ademit alejhi selam, tregon se kur Allahu e zbriti Ademin në tokë, ky
tha: “O Allah, pse nuk po i dëgjoj më zërat e melaikeve? Allahu i
përgjigjet. – Për shkak të gjunaheve të tua o Adem, por shko dhe ndërto
një shtëpi e bëj tavaf rreth saj, ashtu siç i pe melaiket duke bërë
tavaf rreth Arshit tim. Kështu Ademi alejhi selam e ndërtoi Qaben, pasi
Xhibrili me krahun e tij i zbuloi themelet e saj dhe melaiket hodhën në
të gurë aq të mëdhenj, saqë nuk i mbanin dot tridhjetë burra.
Pas Ademit
e rindërtuan bijtë e tij, por ne do të ndalemi pak në rindërtimin e
katërt, të cilin e ka bërë Ibrahimi me djalin e tij, Ismailin, paqja
qoftë mbi ta.
Në tregimin e gjatë për historikun e ujit të Zemzemit tregohen vizitat
që pejgamberi Ibrahim i bënte Ismailit, më poshtë po vazhdojmë me një
vizitë tjetër, e cila ishte edhe shkaku i rindërtimit të Qabes: “ …
pastaj qëndroi larg tyre për një kohë sa dëshiroi Allahu dhe pas kësaj
ai i vizitoi ata. Ai e pa Ismailin nën një pemë pranë Zemzemit, duke
mprehur shigjetat e tij. Kur ai e pa Ibrahimin, u ngrit ta mirëpriste
atë (dhe përshëndetën njëri-tjetrin siç bën babai me të birin dhe i biri
me babanë e tij). Ibrahimi tha: ‘O Ismail, Allahu më ka dhënë një
urdhër.’ Ismaili tha: ‘Bëj çfarë të ka urdhëruar Zoti yt të bësh.’
Ibrahimi e pyeti: ‘A do të më ndihmosh ti?’ – ‘Po, – tha Ismaili, – unë
do të të ndihmoj.’ Ibrahimi tha: ‘Allahu më ka urdhëruar të ndërtoj një
shtëpi këtu, duke bërë me shenjë drejt një kodrine më të lartë sesa
vendi përreth saj.’ Pejgamberi alejhi selam shtoi: “Pastaj ata ngritën
themelet e Shtëpisë (Qabes). Ismaili sillte gurët, ndërsa Ibrahimi po e
ndërtonte dhe kur muret u ngritën lart, Ismaili solli këtë gur dhe ia
dha Ibrahimit, i cili qëndroi mbi të dhe vazhdoi ndërtimin. Ismaili i
jepte në dorë gurët dhe që të dy vazhdonin të thoshin: “Zoti ynë pranoje
këtë prej nesh, vërtet, Ti je Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.”
[Bekare,127] [Sahihul Buhari, Hadithi Nr. 3364]
Guri i
madh të cilin ia ofroi Ismaili, është guri ku edhe sot e kësaj dite
duken gjurmët e Ibrahimit. Ky gur deri në kohën e Omerit ka qenë afër
murit të Qabes, por kur njerëzit që bënin tavaf u shtuan dhe guri i
pengonte Omeri dha urdhër të vendoset aty ku gjendet edhe sot. Përsa i
përket Gurit të Zi, i cili tregon edhe pikënisjen e fillimit të
rrotullimit rreth Qabes, thuhet se ai ka qenë më i bardhë se qumështi,
por për shkak të mëkateve të njerëzve është nxirë. Këtë gur, të ardhur
nga xheneti, meleku Xhibril ia solli Ibrahimit alejhi selam kur e
përfundoi ndërtimin e Qabes.
Kur
Muhammedi alejhi selam, më pas i Dërguari i Allahut, ishte tridhjetë e
pesë vjeç, kurejshët vendosën të ndërtojnë Qaben, e cila gjer atëherë
ishte një grumbull gurësh në një truall paksa të ngritur. Ishte e lartë
nëntë arshin (6.30 m) që nga koha e Ismailit alejhi selam. Nuk kishte
kulm (çati) dhe disa hajdutë kishin vjedhur prej saj një arkë ari, e
cila në atë kohë ndodhej brenda këtij grumbulli. Për shkak të traditës
së vet dhe vlerës së madhe historike, si dhe të ndërtimit që i bëri
Ibrahimi alejhi selam, Qaben gjithnjë e kanë vizituar të gjithë
kalimtarët e Mekës. Ndodhte që shumë prej tyre të merrnin me vete nga
një copë dhé apo gur, si simbol shenjtërie apo bereqeti (veprim i
ndaluar ky). Pesë vjet para pejgamberisë së të Dërguarit alejhi selam,
Qabja përmbytet nga shpërthimi i pendës Arem. Kurejshët u frikësuan,
sepse Qabja ishte gati të rrënohej, prandaj vendosën ta rindërtonin duke
i ruajtur themelet dhe vendin e saj të mëparshëm. Vendosën ta ndërtonin
vetëm me pasurinë e fituar në mënyrë të ndershme, pa përzierje të
kamatës, ryshfetit, të hollave të vjedhura dhe të plaçkitura. Ata
frikësoheshin t’i rrëzonin mbetjet ekzistuese të Qabes. Këtë e filloi
Velid bin Mugire Mahzumi e të tjerët pas tij, kur panë se Velidit gjatë
pastrimit nuk i ndodhi asgjë e keqe. Pasi e rrëzuan Qaben gjer në
themelet që i kishte ndërtuar Ibrahimi alejhi selam, përpiluan edhe
planin e ndërtimit të saj. Çdo fisi i caktuan sasinë e gurëve që do të
sillnin dhe pjesën e murit që do të ndërtonin, kështu, të gjithë ishin
pjesëmarrës në ndërtim. Sollën një ndërtues romak, të quajtur Bakum, dhe
ndërtimi shkoi sipas planit, derisa erdhën në lartësinë e vendit ku
duhej vendosur haxherul-esvedi (guri i zi). Çdo fis e konsideronte veten
të privilegjuar, që këtë punë të ndershme ta bënte ndonjëri prej tyre.
Grindja mes tyre zgjati katër apo pesë ditë dhe kanosej rreziku që të
shpërthente një përleshje e përgjakshme rreth tempullit të Shenjtë, në
tokën e Shenjtë. Në tërë këtë rrëmujë, më i maturi ishte Ebu Umeje bin
Mugire Mahzumi, i cili dha këtë propozim: Personi i parë, i cili do të
paraqitet në dyert e Haremit të Qabes, le të vendosë dhe të zgjidhë këtë
problem.
Desh
Allahu që ky person të jetë Muhammedi alejhi selam. Kur e panë,
brohoritën “El-Emin El-Emin” (ngaqë ishte i njohur me këtë ofiq, që do
të thotë: i besueshmi, besniku) jemi të kënaqur që ky të vendosë.
Kur i
Dërguari i Allahut alejhi selam u afrua më afër, ata ia parashtruan
çështjen dhe kërkuan zgjidhje nga ai. I Dërguari i Allahut alejhi selam
kërkoi një copë pëlhurë, e shtriu në tokë dhe në mes të saj vuri “Gurin e
Shenjtë”, pastaj u tha kryetarëve të fiseve të ngatërruara që të
afroheshin, të kapnin nga një cep të pëlhurës dhe të gjithë së bashku ta
ngrinin “Gurin e Shenjtë” gjer te vendi ku do të vendosej. Pastaj i
Dërguari i Allahut alejhi selam e mori atë me duart e veta dhe e vendosi
ku duhej. Me këtë veprim të mirë ishin të kënaqura të gjitha palët.
Kurejshëve
u harxhohet pasuria e pastër (hallall) për ndërtim, prandaj nga ana
veriore ndërtuan murin në lartësi prej gjashtë arshin, sot i quajtur
muri Hatim apo muri i gurit. Në këtë mur bënë derën dhe e ngritën nga
toka që të mos hynin në Qabe kush të donte, por vetëm ai, të cilit i
lejohet. Kur ndërtimi i Qabes arriti lartësinë pesëmbëdhjetë arshin,
bënë plafonin e mbështetur në gjashtë shtylla. Me këtë ndërtim Qabja
mori trajtën e vet katrore (duke mos e përfshirë të tërë sipërfaqen e
ndërtuar që nga Ibrahimi) me përmasa përafërsisht të njëjta. Lartësia
është përafërsisht pesëmbëdhjetë metra, gjatësia e murit, në të cilin
është Guri i Zi, është dhjetë metra, sikurse edhe muri tjetër kundruall
tij. Guri i Zi gjendet në lartësi prej 1.5 metra nga themelet ku bëhet
tavafi. Muri ballor, në të cilin gjendet dera, është i gjatë dymbëdhjetë
metra, sikurse edhe ai kundruall tij. Dera e Qabes është e vendosur në
lartësi dy metra nga toka. Nga ana e jashtme, Qaben e rrethon rrethi i
gurëve në lartësi njëzet e pesë centimetra e në gjerësi tridhjetë
centimetra. Këto në realitet janë blloqe gurësh nga godina e parë, të
ruajtura në këtë mënyrë.
Për një
kohë të gjatë njerëzit u mësuan me këtë formë të Qabes e cila nuk ishte e
plotë. Nisur nga ky fakt Pejgamberi Muhammed alejhi selam i thotë
Aishes se nëse populli nuk do të ishte i ri në Islam (për ta kuptuar të
vërtetën) do të urdhëroja që të rindërtohej Qabja në formën e ndërtuar
nga Ibrahimi. Nisur nga ky fakt dhe nga shkatërrimi i Qabes që ndodhi në
kohën e Abdullah bin Zubejrit, ky i fundi e rindërtoi, në vitin 65
sipas Hixhrit, Qaben në themelet e Ibrahimit. Mirëpo Qabja u ndërtua
edhe një herë pas tij në atë mënyrë që e ndërtuan kurejshët duke mos e
ditur se si ishte e vërteta. Kur e dëgjoi mbreti i asaj kohe, deshi ta
rindërtonte të plotë, por dijetari Malik bin Enes e ndaloi duke pasur
frikë se mos kthehej Qabja në një ndërtesë që e prish një mbret dhe e
ndërton një tjetër. Aktualisht Qabja mbetet në përmasat që u ndërtua nga
kurejshët pesë vite para pejgamberisë.
Qabja
pësoi sërish një shkatërrim të pjesshëm në kohën e sulltan Muratit,
ngaqë për shkak të një vërshimi të ujit ishte rrëzuar muri nga Shami,
muri nga Lindja deri tek dera dhe nga perëndimi rreth 2/3 e murit.
Sulltan Ahmedi, i biri i sulltan Muratit, shpenzoi për ndërtimin e saj
tetëdhjetë mijë dinarë. Kjo ndodhi në vitin 1020 sipas hixhrit.
Qabja mbulohet me një pëlhurë, e cila i ndërrohet çdo vit në periudhën e Haxhit si dhe lyhet me erë të mirë.
Ambienti i xhamisë (jo ndërtesa në formë katrore) është zgjeruar vazhdimisht në varësi të shtimit të nevojave të besimtarëve.
Sot, Xhamia e Shenjtë është kjo:
Sipërfaqja ndërtimore: 202 000 m2
Sipërfaqja e oborreve: 61 000 m2
Sipërfaqja e përgjithshme: 40 000 m2
Numri i besimtarëve që mund të falen njëherësh: 695 000
Numri i minareve: 9
Lartësia e minareve: 89
Numri i shkallëve të zakonshme: 11
Numri i shkallëve lëvizëse: 5
Sistemi i ajrimit të kondicionuar, me kapacitet: 40 000 tonë.
Karakteristikat e Shtëpisë së Shenjtë (Kibla)
Vendi më i shenjtë.
‘Kibla’, pika e drejtimit për të gjithë muslimanët, në jetë dhe vdekje.
Falja e namazit në të ka vlerën e 100.000 namazeve në xhamitë e tjera.
Shkëputur nga libri: “Evdahul mesalik li ma’rifetil ahkam vel menasik”
të autorit: Abdulaziz bin Muhammed bin Ibrahim Al Shejh
Marrë nga revista “Haxhi përtej ritualit”