Nga Prof. Dr. Kristaq Sini
Po mbushet një vit nga deklarata e
OBSH-së në lidhje me rrez ikun e kancerit nga mishi dhe sidomos sallami,
që këshillon te kufizimin e konsumit të këtyre produkteve. Kjo
deklaratë i drejtohej të gjitha vendeve dhe jo Shqipërisë në veçanti,
sepse rritja e rasteve apo e sëmundjeve kanceroze është shndërruar në
problem botëror, nga i cili nuk mund të veçohet Shqipëria. Me të drejtë,
një gazetar, në lidhje me këtë deklaratë, u shpreh në rrjetet sociale
se “na thatë të lëmë duhanin, e lamë; na thatë të lëmë alkoolin, e lamë,
tani na thoni të lëmë dhe mishin…..” Me të drejtë, sepse çdo njeri
duhet të informohet për arsyet e një deklarate të këtij niveli dhe,
sepse ushqimi i njerëzve nuk përbëhet vetëm nga mishi e sallami, por nga
shumë produkte dhe nënprodukte me origjinë shtazore dhe bimore.
Kanceri
ka pasur viktimat e tij edhe para 20, 200,….2000 vjetësh. Por sot,
dëgjojmë gjithnjë e më shpesh për të dhe njerëzit habiten se përse
sëmundjet kanceroze po bëhen po aq të “zakonshme” sa ato të zemrës,
veshkave, mëlçisë etj. Të jenë thashetheme dhe zmadhim i realitetit?
Aspak! Të dhënat nga ekzaminimet radiologjike (Dr. Kastriot Mëlyshi),
nga kirurgjia (Prof as. Dr. Sokol Paparisto) apo nga Dr. Ferdinand
Jorgoni, epidemiolog në Spitalin Onkologjik, flasin për rritje të
rasteve të sëmundjeve kanceroze në përgjithësi dhe atyre të aparatit
tretës në veçanti. Le ta ilustrojmë sa thamë më sipër me disa shifra dhe
fakte: sipas të dhënave të Dr. Ferdinand Jorgoni, sëmundjet kanceroze
të aparatit tretës janë rritur nga viti në vit: nëse në vitin 2000 ishin
400 raste të reja, në vitin 2013 numri i rasteve të reja arriti në 634
ose rreth 58% më shumë!
Por po t’i referohemi mesatares në vitet
2010-2013, numri i sëmundjeve kanceroze të aparatit tretës është 620
raste të reja çdo vit, që përbën rreth 18% të të gjithë sëmundjeve
kanceroze në Shqipëri (mesatarisht 3500 raste të reja në vit), duke u
renditur në vendin e pare. Të dhënat nga statistikat e mësipërme tepër
shqetësuese janë bërë objekt studimesh dhe diskutimesh të shumta edhe
nga mjekë të tjerë apo në literaturë dhe lidhja me ushqimin që
konsumojmë çdo ditë del në plan të parë. Prandaj vendosa të shkruaj dhe
të shpjegoj si, vazhdimi dhe përkeqësimi i mënyrës shpesh-herë të
mbrapshtë të prodhimit blegtoral dhe bujqësor, me ushqimet që na ofron
na sëmur deri me kancer. Këtu do të përqendrohet edhe ky artikull, me
qëllimin që çdokush të mund të kuptojë ndikimin e cilësisë të ushqimit
në shëndetin tonë.
Por le të shohim më parë se ç’është kanceri dhe kush e shkakton.
Ç’ËSHTË KANCERI
Që të kuptojmë se çfarë është kanceri, le të kujtojmë paraprakisht se
trupi i njeriut përbëhet nga një sërë organesh, si zemra, veshka,
mëlçia, lëkura etj. Një nga organet e njeriut është edhe sistemi
endokrin, i përbërë nga disa gjëndra të shpërndara në pjesë të ndryshme
të organizmit. Produkti kryesor i këtyre gjëndrave janë hormonet, që
rregullojnë gjithçka, rritjen dhe riparimin e organeve, metabolizmin,
zhvillimin seksual dhe riprodhimin, presionin e gjakut dhe reagimin e
organizmit ndaj streseve. Qelizat e çdo organi, nëpërmjet metabolizmit
të tyre i shërbejnë organit ku bëjnë pjesë dhe organizmit në tërësinë e
tij. Ky metabolizëm përcaktohet nga ADN-ja e organizmit. E gjithë
veprimtaria e organizmit mbrohet nga një sistem që quhet sistemi
imunitar, i ndodhur në limfë, gjak e deri në çdo qelizë, i cili mbron
organizmin nga agjentët e jashtëm fizik, kimik dhe biologjik. Pas këtij
përshkrimi të shkurtër se si është i ndërtuar dhe mbrohet organizmi i
njeriut për një funksionim normal të tij, le të përshkruajmë se ç’është
kanceri.
Kanceri shfaqet në një organ të caktuar nëpërmjet
formimit, shumimit dhe shumëzimit të qelizave anormale, të quajtura
kanceroze. ADN-ja e këtyre qelizave kanceroze ka pësuar ndryshime dhe
këto qeliza kanë rritje të pakontrolluar ngaqë “nuk i binden”
mekanizmave të kontrollit hormonal të organizmit. Këto qeliza kanceroze
anormale, mund të mbeten të pakta në numër dhe pa pasoja në funksionimin
normal të organizmit, si p.sh. disa lloje të veçanta të nishaneve të
lëkurës. Por, kur në kushte të veçanta, nën veprimin e agjentëve të
jashtëm fizik, kimik dhe biologjik, ato pësojnë ndryshime të
njëpasnjëshme (mutacione), mund të shumohen në një organ ose/dhe të
përhapen në organe të tjera të organizmit. Një formë e dytë është
shumëzimi vetëm i disa qelizave, që formojnë tumore. Nga ana tjetër,
qelizat anormale kanceroze karakterizohen nga një metabolizëm i ndryshëm
nga ai normal.
Nëse, në një metabolizëm normal, qelizat në
përbërje të organeve prodhojnë për nevojat e veta dhe të organizmit,
qelizat anormale kanceroze zhvillohen si një “organizëm parazit”, që
vetëm merr dhe nuk jep asgjë për organizmin “mëmë”, brenda të cilit u
formua dhe zhvillua. Si konkluzion, një sëmundje kanceroze ndodh së
pari, kur sistemi imunitar është i paaftë të mbrojë organizmin nga
agjentët e jashtëm fizik, kimik dhe biologjik, apo kur e ka të pamundur,
sepse mund të jetë dëmtuar prej agjentëve të sipërpërmendur, së dyti,
kur këta agjentë ndërhyjnë dhe prishin balancën e sistemit të kontrollit
hormonal dhe së treti, kur shkaktojnë ndryshime (mutacione) të ADN-së
të njeriut.
Por, a mund të ndryshojë struktura e ADN-së vetvetiu,
pa ndërhyrje nga jashtë organizmit ? Ja ku dolëm tek thelbi i këtij
shkrimi. Në të vërtetë, mund të ndodhë që këto ndryshime (mutacione) të
ADN-së të trashëgohen edhe tek pasardhësit. Por, të dhënat e literaturës
shkencore referojnë se vetëm rreth 5% e sëmundjeve kanceroze kanë
origjinë gjenetike. Pra, pjesa dërmuese e sëmundjeve kanceroze, nuk janë
të trashëguara, por shfaqen gjatë jetës së njeriut nga kontakti i tij
me mjedisin e jashtëm. Në këtë kuptim, sëmundjet e kancerit do mund të
shpjegoheshin vetëm me efektin e agjentëve të jashtëm fizik, kimik dhe
biologjik që quhen faktorë kancerogen dhe që shpesh shkaktojnë
mutacione.
FAKTORËT KANCEROGJENE
Të renditura sipas literaturës mjekësore, faktorët kancerogenë janë: 1.
rrezatimet (ultraviolet, rrezet X dhe Gama), 2. kimikatet organike të
duhanit dhe ushqimeve, 3. ndotësit (kimikate industriale, pesticide
etj.) të ndodhur në ujë, tokë, ajër dhe ushqime dhe 4. viruset me të
cilat mund të lidhen vetëm tri lloje sëmundjesh kanceroze (një me
hepatitin B, i pranishëm në Shqipëri dhe dy lloje virusesh të pranishëm
në Kinë dhe Afrikë). Si përfundim, të gjithë faktorët ndodhen në ajrin,
me të cilin jemi në kontakt dhe thithim, në ujë, në produktet
industriale që ne përdorim si veshje, lodra etj, si dhe në ushqime. Për
çdo sëmundje, si për çdo fenomen, ka një shkak kryesor dhe të tjerë që e
përshpejtojnë apo e frenojnë atë. Kuptohet se, nëse uji përmban metale
të rënda, shkaku kryesor është ai, apo ajri (mjedisi) kur ka
radioaktivitet, si në rastin e personave me kontakte të shpeshta me
repartin e radiologjisë, si dhe atyre të gjeologjisë.
Po kështu
shkak kryesor mund të jetë edhe duhani. Por, është një faktor që është i
përbashkët për të gjithë njerëzit: për ata që pinë apo jo duhan, për
ata që janë në kontakt me rrezatime apo jo, për ata që kanë kontakte me
kimikate kancerogene apo jo, për ata që ndodhen në zona të ndotura
atmosferike apo jo… Ky faktor është ushqimi. Le të përqendrohemi tani te
roli i ushqimit në lidhje me sëmundjet në përgjithësi dhe kancerin në
veçanti. Sikundër dihet, nëpërmjet ushqimit organizmi merr të gjithë
elementët që i duhen për funksionimin normal të tij. Nga ana tjetër, çdo
ushqim apo element ushqimor karakterizohet nga aftësia për të krijuar
në qelizat tona një mjedis acid apo bazik. Kjo është e rëndësishme,
sepse shkenca mjekësore ka arritur në konkluzionin se ambienti i
theksuar acid mund të jetë shkaku kryesor i fillimit të sëmundjeve në
përgjithësi dhe atyre kanceroze në veçanti. Duhet theksuar se mjedisi
acid mund të krijohet edhe nga metabolizmi nëpërmjet tretjes së
ushqimeve të ndryshme.
Një rol shumë të rëndësishëm në
neutralizimin e këtij aciditeti të qelizave kanë elementët minerale, që,
gjithashtu, merren nëpërmjet ushqimit shtazor dhe sidomos atij bimor.
Ndërkohë, nuk duhen lënë pa përmendur edhe antioksidantët, që gjenden në
vitamina dhe ushqime të ndryshme (fruta-perime, vaji i ullirit, vera
etj). Antioksidantët mund të parandalojnë formimin e radikaleve të lira
që mund të dëmtojnë ADN-në : shkaku kryesor i tjetërsimit të
metabolizmit dhe përhapjes së qelizave kanceroze. Mungesa e një apo disa
elementëve të ushqimit ose prania e tepërt e disa komponimeve organike
apo e metaleve të rënda në të, mund të japin efekte akute apo kronike në
metabolizmin e njeriut, duke shkaktuar devijime të tij, me pasojë
sëmundje me emërtime të ndryshme, sipas organit që pëson devijimin e
rrugës metabolike. Kuptohet, ka devijime të rrugëve metabolike
(sëmundje) që, kur nuk prekin apo bllokojnë funksione jetike, janë të
kurueshme nga shkenca e mjekësisë.
Në të kundërt, kurimi është
shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur, kur substancat e ndodhura
në ushqim, sidomos ato të shtuara nëpërmjet praktikave “të legalizuara
shkencërisht” dëmtojnë sistemin imunitar dhe ndërhyjnë në sistemin
hormonal, duke dëmtuar dhe ndryshuar tërësisht metabolizmin e qelizës.
Tërësisht më keq, këto substanca të rrezikshme mund të futen deri në
bërthamën e qelizave dhe të modifikojnë genet e ADN-së që janë
përgjegjëse të metabolizmit dhe të kontrollit hormonal. Prandaj, ka
raste kur trashëgimia gjenetike e sëmundjeve mund të ngatërrohet me
“trashëgiminë e tryezës familjare” (lidhja shkak-pasoje:
ushqim-metabolizëm-ADN-shëndet).
Pra, ushqimi që konsumon çdo
njeri, në varësi të mënyrës së të ushqyerit (llojshmëria dhe sasia e
tij) dhe cilësisë së tij, mund të jetë shkaku kryesor apo/dhe dytësor i
shfaqjes dhe zhvillimit të kancerit, ose i frenimit dhe eliminimet të
efekteve negative të faktorëve të sipërpërmendur. Këtu, mbase qëndron
edhe kuptimi i “genit të kancerit dhe genit supresor (shtypës, pengues)”
që referon literatura: “geni i kancerit” është prania e ndonjë faktori
kancerogen, ku përfshihet edhe te ushqyerit e gabuar dhe/ose jo cilësor,
kurse “geni supresor” mund të jetë ushqimi i shëndetshëm. Por, mënyra e
të ushqyerit nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë e përkryer për këdo,
sepse ushqimi, në fund të fundit është mundësi, nevojë dhe kënaqësi,
prandaj kanceri është përshkruar që në kohën e Herodotit.
Por,
përse rastet e kancerit janë shtuar shumë në Shqipëri këto 10 vitet e
fundit? Çfarë ka ndryshuar ne jetën tone të përditshme? Ka ndryshuar
cilësia e ushqimit, prandaj, shpesh pyesim veten se si mund ta ulim rrezikun.