FARET NE ANTIKITET DHE ZBULIMET NE DURRES
Në analet historike, në detin Mesdhe njihen rreth 100 fare antike greke e romake. Prania e shpeshtë e farit në burimet e shkruara dhe paraqitjet në pikturë, skulpturë dhe në monedhat e kohës bën që fari të konsiderohet një monument i denjë për festimin e fuqisë së sundimtarëve, për shfaqjen e teknikës dhe teknologjisë ndërtimore. Në kohët e sotme, vetëm 20 nga këto fare njihen nga mbetjet e tyre arkeologjike. Më i famshmi i tyre është fari i Aleksandrisë, një nga shtatë mrekullitë e botës, që ka humbur për gjithnjë. Ai që është ruajtur më mirë ndodhet në La Korunja të Spanjës dhe këtë vit është marrë në mbrojtje nga UNESCO, duke marrë titullin e Monumentit të Trashëgimisë Kulturore të Njerëzimit. Në seminar u deklarua se në muajin qershor, në një kongres ndërkombëtar, në të cilin morën pjesë specialistë të fareve antike nga e gjithë bota, u prezantua dhe hipoteza se zbulimi i Durrësit ishte një far.
Hipoteza u mbështet nga studiuesit me formën e rrumbullakët, që është tipike për faret e Mesdheut Lindor dhe përqasjen më të afërt me tri faret e ishullit Thasos të epokës greke dhe të atij roman të sapozbuluar në Patara të Turqisë. Bashkësia shkencore ndërkombëtare, sipas arkeologëve shqiptarë dhe italianë të ekipit që punoi në objektin e zbuluar, ka uruar që gërmimet e reja me mjete financiare të përshtatshme të mund ta konfirmojnë këtë hipotezë shumë tërheqëse dhe të kërkohen të gjitha mjetet për të ruajtur dhe për ta bërë objektin të vizitueshëm nga publiku. Zbulimi dhe vërtetimi i hipotezës së ngritur do e shndërronte atë në një monument antik tepër të rëndësishëm dhe të çmuar. Bashkia e Durrësit, e cila punon në bashkëpunim të ngushtë me projektin pilot për realizimin e Parkut Arkeologjik Urban e ka futur këtë pjesë në konkursin e ideve për riprojektimin arkitektonik të sheshit qendror të Durrësit.